Policia e Kosovës arreston disa persona në kërkim ndërkombëtar
Policia tha se disa nga të arrestuarit janë në kërkim ndërkombëtar, pa dhënë detaje tjera.
Ata u arrestuan në orët e pasdites në Prishtinë, kur policë të shumtë u panë duke kontrolluar disa ndërtesa në lagjen Kalabria të kryeqytetit.
“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të një operacioni policor sonte në orët e mbrëmjes në Prishtinë, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për vepra kriminale, disa nga ta shtetas të huaj e që janë në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar edhe për vrasje, ka ndaluar 4 persona të dyshuar: 3 shtetas të huaj dhe një kosovar”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.
Zyrtarë brenda Policisë së Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se dy nga të arrestuarit janë malazezë, një serb dhe i dyshuari i katërt është shqiptar nga Kosova.
