Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për mbrojtje të refugjatëve nga Venezuela
Rreth 3.7 milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela pasi ekonomia pothuajse është shkatërruar tërësisht duke shkaktuar uri si dhe protesta anti-qeveritare të cilat kanë sjellur valë të dhunës dhe vdekjeve.
Prej 3 mijë deri në 5 mijë banorë të Venezuelës largohet gjatë një dite nga vendi, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).
"UNHCR vlerëson se shumica e atyre që largohen nga vendi kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare të refugjatëve", tha në një konferencë për media zëdhënësja e agjencisë, Liz Throssell.
UNHCR vuri në dukje se vitin e kaluar kishte pasur disa deportime të refugjatëve nga ishujt e Karaibeve, duke përfshirë edhe nga Trinidadi dhe Tobago.
Vetëm 460,000 venezuelanë kishin kërkuar azil zyrtar deri në fund të vitit 2018, kryesisht në Peru, Shtetet e Bashkuara, Brazil dhe Spanjë, ndërsa të tjerë kanë lejeqëndrime në vende si Kolumbia, Kili dhe Ekuador.
Dhjetra vende anembanë botës përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur kreun e opozitës në Venezuelë, Juan Guaidon si president të përkohshëm, duke thënë se presidenti i kontestuar, Nikolas Maduro, ka manipuluar zgjedhjet në vitit 2018 dhe po sillet si një diktator. Por, Guaido nuk ka qenë në gjendje të heqë Maduron nga pushteti, i cili ende ka mbështetjen e ushtrisë si dhe vendeve si Rusia dhe Kuba.
