Kosovë: Nga 645 mostra të testuara, 42 pozitive në koronavirus
Kosova të premten nuk ka regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha në njoftimin ditor të situatës epidemiologjike se gjatë 24 orëve të fundit, nga 645 mostra të testuara, janë regjistruar si të infektuar me koronavirus edhe 42 raste.
Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 54 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1.347.
Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë infektuar gjithsej 15.705 persona, prej të cilëve 13.731 janë shëruar, ndërsa 627 kanë vdekur.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar po këtë ditë se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 153 pacientë, prej tyre 84 janë të prekur me koronavirus.
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 6 pacientë janë në respiratorë, 10 tjerë janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 83 të tjerë janë në oksigjenoterapi.