Në Kosovë, pesë raste të reja me koronavirus dhe asnjë viktimë
Në Kosovë u konfirmuan të hënën pesë raste të reja me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se rastet pozitive rezultuan pas testimit të 2,007 mostrave.
Sipas njoftimit, në 24-orëshin paraprak, 184 pacientë janë shëruar nga koronavirusi, ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast të vdekjes.
Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 2,201.
Që nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars të vitit të kaluar, IKSHPK-ja ka regjistruar gjithsej 107,410 të infektuar, 2,243 viktima dhe 102,966 të shëruar.
Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars.
Aktualisht janë duke u vaksinuar personat e moshës 65-79 vjeç, pasi fillimisht janë vaksinuar mbi 80-vjeçarët, punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.
Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksionojë 60 për qind të popullatës.
Vaksinat që po përdoren janë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.
Të dyja ato duhet të jepen në dy doza për të arritur efektin maksimal.