Talibanët arrestojnë katër militantë të IS-it
![Talibanët arrestojnë katër militantë të IS-it](https://gdb.rferl.org/f7361ada-ab93-4c3e-b368-c9fad8347d5f_w800_h450.jpg)
Talibanët thanë se kanë arrestuar katër anëtarë të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), në veri të Kabulit.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se ata u arrestuan gjatë një operacioni në rrethin Paghman, ku u konfiskuan edhe dokumente dhe armë.
Mujahid nuk dha detaje të tjera.
Dega lokale e Shtetit Islamik, Shteti Islamik-Provinca Khorasan (IS-K), nuk i ka komentuar këto pretendime.
Qëkur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në muajin gusht, militantët e IS-K kanë shtuar sulmet kundër sundimtarëve të rinj të këtij vendi.
I fundit ka ndodhur më 3 tetor, kur grupi ka marrë përgjegjësinë për një shpërthim vdekjeprurës pranë hyrjes së një xhamie në Kabul.
Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe ata kanë luftuar njëri-tjetrin edhe para se talibanët të merrnin pushtetin në Afganistan.