Më 18 tetor disa shkolla do të kalojnë online
![Më 18 tetor disa shkolla do të kalojnë online](https://gdb.rferl.org/53E3ADC6-8CD7-4E96-9F7F-6DFD82A4C6A7_w800_h450.jpg)
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) njoftoi se është miratuar kërkesa e tyre që më 18 tetor, mësimi të zhvillohet online në disa shkolla.
Kjo për shkak se më 17 tetor, qytetarët e Kosovës do të votojnë në zgjedhjet lokale dhe disa qendra të votimit janë të vendosura në shkolla.
“Këtë ditë këto shkollat do të dezonfektohen dhe ajrosen”, thuhet në njoftimin e Asocacionit.
Ndërkaq, në shkollat që nuk përdoren si qendra votimi, mësimi do të zhvillohet normalisht, me prezencë fizike.
“Një kërkesë të tillë Asociacioni i Komunave të Kosovës pati adresuar te ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për t'i mbrojtur nxënësit nga infektimet e mundshme me virusin e pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim.
Viti i ri shkollor në Kosovë nisi me vonesë, për shkak të gjendjes epidemiologjike në vend.
Të gjithë punëtorët e sistemit të arsimit, me qëllim që të hyjnë në objektet e tyre të punës, sipas masave në fuqi, ose duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19 (të paktën me një dozë) ose të paraqesin testet përkatëse që dëshmojnë se nuk janë të infektuar apo që e kanë kaluar virusin.