Vdes ish-Sekretari i Shtetit, Colin Powell
![Vdes ish-Sekretari i Shtetit, Colin Powell](https://gdb.rferl.org/3216BC0D-A84B-44DF-B821-ADCF8D01FC3D_w800_h450.jpg)
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, ka vdekur në moshën 84-vjeçare nga komplikimet të shkaktuara si pasojë e sëmundjes COVID-19, ka njoftuar familja e tij.
Powell, ka qenë ish-oficer i lartë ushtarak dhe i pari afrikano-amerikan që u emërua Sekretar i Shtetit.
Emërimi i tij ishte bërë në vitin 2000 kur president i SHBA-së ishte, George W Bush.
"Ne kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm dhe të dashur", thuhet në deklaratën e familjes.
"Ne duam të falënderojmë stafin mjekësor për trajtimin e tyre të kujdesshëm", shtoi deklarata.
Powell ka qenë një këshilltar ushtarak i besueshëm i një numri të madh të politikanëve kryesorë amerikanë.
Ai gjithashtu ka shërbyer në luftën e Vietnamit, një përvojë që më vonë e ndihmoi në përcaktimin e strategjive të tij ushtarake dhe politike.