Berlini shpreh shqetësim për raportet diplomatike me Ankaranë
![Berlini shpreh shqetësim për raportet diplomatike me Ankaranë](https://gdb.rferl.org/d0e3ce5e-de26-4302-8895-eac3dd12c7a0_cx0_cy8_cw0_w800_h450.jpg)
Gjermania tha se është e shqetësuar me paralajmërimet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për dëbimin e ambasadorit gjerman në Ankara.
"Jemi të shqetësuar dhe hutuar nga paralajmërimet e presidentit turk. Nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga pala turke. Ne jemi në konsultim të ngushtë me partnerët që janë prekur nga këto kërcënime", tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallë “persona non grata” (persona të padëshirueshëm) dhjetë ambasadorë nga shtetet perëndimore, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara, pasi ata kanë bërë thirrje për lirimin e filantropistit, Osman Kavala.
Kavala është në burg që prej vitit 2017, pasi akuzohet se ka financuar protestat mbarëkombëtare të vitit 2013 dhe për përfshirje në tentim grushtshtetin e vitit 2016. Ai i mohon të gjitha akuzat.
Përmes një deklarate të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Zelandës së Re kërkuan që sa më shpejt të zgjidhet çështja e Kavalas. Ata u thirrën në bisedë nga Ministria e Jashtme, që e quajti këtë deklaratë të përbashkët si të papërgjegjshme.