Në Kosovë detektohen nëntë raste me Omicron
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se ka detektuar nëntë raste me variantin Omicron të koronavirsit.
Sipas njoftimit, dy raste janë të importuara nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Londra e Mbretërisë së Bashkuar, një nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron të detektuar janë në Komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndojë situatën epidemiologjike”, tha IKSHPK-ja.
IKSHPK-ja tha se testimi u krye me kit-e shtesë që kanë pranuar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.
Ky variant i ri i COVID-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës.
Omicroni besohet se transmetohet më shpejt se variantet paraprake, por shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar nëse ai shkakton sëmundje më të rëndë apo nëse shmang mbrojtjen që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.
Për dallim nga shtetet e tjera në rajon dhe Evropë, situata epidemiologjike në Kosovë është më e qetë dhe aktualisht janë 349.