Filipçe: Nuk do të vendosim asnjë kufizim të ri për COVID-19
Sipas tij, gjendja epidemiologjike në vend është stabile andaj edhe nuk ka nevojë për masa të reja, pavarësisht paraqitjes edhe të rastit të parë me variantin, Omicron të koronavirusit.
“Besoj se të gjitha vendet duhet të mësohen të jetojnë sipas rregullave strikte parandaluese dhe të rrisin shkallën e vaksinimit kundër COVID-19. Nuk mund të vendosim masa për çdo variant të virusit që paraqitet. Mendoj se kërkesa për vaksinim të detyrueshëm, masat për sektorin e gastronomisë si dhe masat e udhëtimit, janë të mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit”, ka deklaruar Filipçe.
Prononcimi i tij vjen pas kërkesave të disa mjekëve specialistë për vendosjen e masave mbrojtëse. Por, edhe stafi mjekësor është i ndarë në qëndrimet nëse ka apo jo rrezik nga varianti Omicron i koronavirusit.
“Të gjitha indikacionet relevante dhe të pavarura sugjerojnë se Omicron ka simptoma shumë më të lehta dhe shanset për të përfunduar në spital janë rreth 80 për qind më të ulëta se varianti aktualisht dominues, Delta” ka deklaruar mjeku specialist, Niko Bekarovski.
Rasti i parë me variantin Omicron të koronavrusit në Maqedoninë e Veriut u zbulua më 24 dhjetor. Raste tjera nuk janë zbuluar, ndërsa pacienti i infektuar me Omicron raportohet është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë 4,832 raste aktive me sëmundjen COVID-19, nga rreth 230,000 të diagnostikuar me koronavirus.