Gjermania riatdheson gra dhe fëmijë nga Siria
Gjermania ka riatdhesuar 10 gra dhe 27 fëmijë nga një kamp në Sirinë verilindore, ku po mbaheshin anëtarë të dyshuar të grupit militant Shteti Islamik.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se grupi u riatdhesua nga kampi Roj, duke e cilësuar këtë operacion si “jashtëzakonisht të vështirë”.
Ajo tha se disa nga nënat u dërguan në paraburgim menjëherë pas mbërritjes në Gjermani.
“Fëmijët, gjithsej 27, në fund të fundit, janë viktima të grupit militant Shteti Islamik, dhe ata kanë të drejtë për një të ardhme më të mirë”, tha Baerbock, duke shtuar se “nënat duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.
Edhe në muajin tetor të vitit të kaluar, Gjermania riatdhesoi 23 fëmijë dhe tetë gra.
Në të njëjtën kohë Danimarka fqinje riatdhesoi 14 fëmijë dhe tre gra.
Baerbock falënderoi autoritetet kurde në Siri dhe partnerët amerikanë, të cilët ajo tha se i dhanë mbështetje Gjermanisë.
Gratë, të cilat u dërguan në paraburgim, sipas prokurorëve, udhëtuan në Siri ose Irak në vitin 2014 dhe iu bashkuan grupit militant IS.