Sot betohet presidenti i ri i Shqipërisë
Në Shqipëri, me ceremoni shtetërore, të dielën do të betohet presidenti i ri i vendit Bajram Begaj.
Begaj do të betohet si presidenti i tetë i vendit në Kuvendin e Shqipërisë me një ceremoni që do të përcillet me intonimin e himnit kombëtar, gardën ceremoniale dhe 21 të shtëna topi. Atij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit.
Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor të këtij viti, me 78 vota të deputetëve të Kuvendit në raundin e tretë, pasi që Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë nuk ishin pajtuar për zgjedhjen e një figure konsensuale për president. PD ka refuzuar votimin e Begajt dhe e ka cilësuar jo-kushtetues emërimin e tij.
Para votimit, Begaj, një ushtarak karriere, tha se do të mbajë pozitën e presidentit “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.
“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t'i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, tha Begaj.
Begaj, mjek në profesion, vjen si President nga pozita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor, dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Begaj bëhet presidenti i tetë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit. Ai merr detyrën nga Ilir Meta, presidenca e të cilit u karakterizua me përplasje me Qeverinë e Edi Ramës dhe beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidentit ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.