Aksion i Prokurorisë në Prishtinë lidhur me dyshimet për dallavere në lëshimin e lejeve për armë
Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se katër persona janë shoqëruar në stacion policor dhe po intervistohen nga prokurori i shtetit nën dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe pranim të ryshfetit në sektorin privat.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se dy nga të shoqëruarit janë persona zyrtarë që po dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Aksioni, sipas saj, është duke u zhvilluar në disa lokacione.
Betimi për Drejtësi, medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë, tha se aksioni po zhvillohet lidhur me dallaveret në lëshimin e lejeve për armë.
Sipas këtij mediumi, dy zyrtarët e shoqëruar në stacion policor janë zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe dy të tjerë të një kompanie private.
MPB-ja është organ mbikëqyrës për procesin e lëshimit të lejeve për armë në Kosovë. Ligji për armë në Kosovë parasheh se kush dhe nën çfarë kushtesh mund të pajisjet me armë zjarri. Përveç personave fizikë, leje për armë ka edhe për kompani private.
Ligjet në Kosovë po ashtu parashohin dënim me burgim dhe gjoba për këdo që posedon armë pa leje.
