Mustafa, pas takimit të LDK-së: Zgjedhjet janë të evitueshme, por ende s'kemi marrëveshje për postin e presidentit
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa tha se ende nuk ka marrëveshje për ndonjë kandidat për postin e presidentit.
Ai vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme - që do të nxiteshin nga moszgjedhja e presidentit apo presidentes së re para fundit të afatit kushtetues - janë "të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme".
Por, ai shtoi se "pushteti ka 66 ulëse, dhe pa ta nuk bëhet kjo punë”.
Mustafa tha se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka mbledhur të paktën 30 nënshkrime deputetësh dhe se mbetet e paqartë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen,
“E kam të pamundur të përgjigjem se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Mund të ketë sërish takim. Ne jemi të hapur, me shpresën që do të arrijmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, tha Mustafa.
Ky zhvillim vjen pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të ri, ku nuk u arrit konsensus.
Kurti kishte deklaruar se diskutimet ishin “në një atmosferë konstruktive” dhe se çdo zhvillim i ri do t’i bëhet i ditur publikisht.
Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.
“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, pati thënë Abdixhiku epas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.
Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Nga ana tjetër, Kurti para takimit të djeshem kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që i siguron 80 vota”, pa përmendur emra konkretë.
Ai ka thënë më herët se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike. Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.
Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
