Irani i konsideron "të pamatura" sanksionet e reja amerikane
![Irani i konsideron](https://gdb.rferl.org/A73CC50D-2777-4E30-BBB6-9D8252819273_cx0_cy10_cw0_w800_h450.jpg)
Organizata për Energji Bërthamore e Iranit i ka cilësuar sanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara kundër kreut të kësaj agjencie si “vendim të pamatur” që nuk do të pengojë politikat bërthamore paqësore të Iranit.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura të enjten sanksionet e reja kundër drejtorit të Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi.
Sanksionet bllokojnë qasjen në të gjitha asetet që ka Salehi në llogari amerikane.
“Sanksionet e tilla vetëm do të motivojnë shkencëtarët bërthamorë në neutralizimin e politikave armiqësore amerikane”, ka thënë mes tjerash kjo organizatë.
Ndërkohë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi ka thënë se duket që zyrtarët amerikanë kanë vënë sanksione vetëm për të humbur vëmendjen e opinionit publik nga gjyqi kundër presidentit amerikan, Donald Trump, që po zhvillohet në Senat.
Sanksionet e reja janë aplikuar në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Uashingtoni është tërhequr më 2018 nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore në vitin 2015.
Nga kjo kohë, Irani ka nisur të mos zbatojë në tërsi marrëveshjen, e cila parasheh kufizim të aktivitetit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.