Zemaj: Masat kundër COVID-19 po japin rezultate pozitive
![Zemaj: Masat kundër COVID-19 po japin rezultate pozitive](https://gdb.rferl.org/6A88709E-6007-42FB-B795-5FC9EA98942D_w800_h450.jpg)
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj thotë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbrojtje nga koronavirusi, kanë filluar që të japin rezultate pozitive.
Sipas tij, qytetarët ditëve të fundit kanë respektuar masën e mbajtjes së maskave, distancës dhe higjienës personale.
“Ne presim që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej, ndërsa, përgjegjësia na thërret që të vazhdojmë me disiplinë, kujdes, zbatim edhe më rigoroz të masave e rekomandimeve të profesionistëve me qëllim që puna e personelit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera të lehtësohet dhe shëndeti i popullatës të ruhet”, tha Zemaj në një postim në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që mbajtja e maskave nga qytetarët në ambientet e hapura, por edhe të mbyllura – aty ku nuk mund të mbahet distanca fizike – të jetë obligative.
Personat që nuk respektojnë masat e vendosura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, mund të gjobiten nga 1,000 deri në 8,000 euro. Lidhur me ndëshkimin e qytetarëve, qeveria thirret në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.
Por, pjesëtarë të shoqërisë civile, si dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e personave të cilët nuk zbatojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 5,617 raste me COVID-19. Nga ta, 130 pacientë kanë vdekur dhe 2,811 janë shëruar.