Donald Trump i Riu ndëshkohet nga Twitter
![Donald Trump i Riu ndëshkohet nga Twitter](https://gdb.rferl.org/0A2E5A90-6742-439A-AD8A-3141ED56450A_cx0_cy1_cw0_w800_h450.jpg)
Twitter ia ndaloi djalit të madh të presidentit amerikan, Donald Trump, të bëjë postime për 12 orë.
Ndëshkimi vjen pasi Donald Trump i Riu bëri një postim me një video, ku diskutohej për përfitimet e hidroksiklorinës.
Disa, përfshirë presidentin Trump, kanë sugjeruar se ky medikament funksionon si masë parandaluese kundër koronavirusit, pavarësisht studimeve mjekësore që e tregojnë të kundërtën.
Twitter tha se postimi i Donald Trumpit të Ri ka shkelur rregullat e informimit për koronavirus.
"Ne ndërmarrim veprime në përputhje me politikën tonë", tha Twitter për BBC-në.
Donald Trump i Riu, edhe pse nuk mund të bëjë postime për një kohë, ai mund ta shfletojë Twitter-in.
Ky rrjet social tha se ka ndërmarrë të gjitha masat për të luftuar dezinformatat për koronavirusin.
Andy Surabian, zëdhënës i Donald Trumpit të Ri, tha se vendimi i Twitter-it është “i papranueshëm”.