Krasniqi: Deri të premten mjetet dalin në llogaritë e Trepçës
![Krasniqi: Deri të premten mjetet dalin në llogaritë e Trepçës](https://gdb.rferl.org/F67CEB14-9EF8-4B10-B411-AAE64671D319_w800_h450.jpg)
Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, tha për Radion Evropa e Lirë se deri të premten, punëtorët e Trepçës do të marrin pagat.
“Procedurat administrative ligjore që kërkohen për t’i transferuara mjetet vetëm kanë përfunduar, është çështje procedurale derisa t’i dalin paratë Trepçës në llogarinë e saj. Besoj që deri nesër gjatë ditës punëtorët e Trepçës paratë duhet t’i kenë në llogaritë e tyre”, deklaroi Krasniqi.
Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça”, të mërkurën kanë hyrë në grevë brenda minierës, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Ai tha se me gjithë paralajmërimin e Qeverisë se janë ndarë 1 milion euro për Trepçën, ato nuk janë alokuar në xhirollogarinë e ndërmarrjes dhe punëtorët nuk kanë marrë pagat e tetorit.
“Për momentin janë 200 minatorë brenda minierës ata janë ndarë në horizonte dhe ata kanë thënë se nuk do të dalin nga greva derisa t’i marrinë pagat”, tha Osmani.
Ndërkohë, po të enjten ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes "Trepça", Hysen Vrajolli.
Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t’i tejkaluar problemet financiare, në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.
“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.