Shefi i OBSH-së: Pandemia ka marrë hov
![Shefi i OBSH-së: Pandemia ka marrë hov](https://gdb.rferl.org/5B6EE1BE-B387-424F-BA88-1BB7A5B332FB_w800_h450.jpg)
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë të hënën se pandemia e koronavirusit “ka marrë hov”.
“Janë dashur 67 ditë nga rasti i parë për të arritur në 100,000 raste; 11 ditë për 100-mijëshin e dytë dhe vetëm katër ditë për 100-mijëshin e tretë”, ka thënë Ghebreyesus në një konferencë për media në Gjenevë.
Ai po ashtu ka thënë se do t’iu adresohet krerëve të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, këtë javë, për t’iu kërkuar që të punojnë së bashku në prodhimin e paisjeve mbrojtëse.
OBSH-ja e ka shpallur Evropën epiqendër të pandemisë.
Italia dhe Spanja bartin numrin më të madh të viktimave dhe të të infektuarve.
Pas tyre vijnë Gjermania, Franca, Zvicra e të tjera.
Shumica e vendeve të prekura në botë kanë ndërmarrë masa të ashpra – përfshirë izolimin dhe mbylljen e kufijve – në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Për lajmet e fundit rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.