Zyrtarët amerikanë kërkojnë që të gjithë kriminelët e luftës të përballen me drejtësi
Ambasadori i përgjithshëm amerikan për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, kanë theksuar të martën zotimin e Shteteve të Bashkuara për të sjellë para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht kombësisë.
Ata i kanë shpërfaqur këto qëndrime në një takim të zhvilluar të martën me Kryeprokurorin e Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj.
“Përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi", është cituar të ketë thënë Kosnett.
Tan është thënë të ketë folur lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet Prokuroria Speciale në Kosovë në përmbushjen çështjeve të rëndësishme në fushën e drejtësisë.
Përgjatë takimit, Kryeprokurori Lumezi është thënë të ketë informuar zyrtarët amerikanë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka trashëguar më shumë se 900 raste të papërfunduara nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe se sipas tij janë nevojituar “më shumë resurse për të lëvizur para”.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 13,500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë.
Rreth 1,600 persona janë ende të pagjetur, shumica e të cilëve janë shqiptarë.