Presidenti francez, Emmanuel Macron infektohet me koronavirus
![Presidenti francez, Emmanuel Macron infektohet me koronavirus](https://gdb.rferl.org/01BEFAA0-0429-4009-81AF-7CAB359CF2E6_w800_h450.jpg)
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka rezultuar pozitiv për COVID-19, ka thënë presidenca franceze.
Macron 42-vjeçar bëri një test, pasi kishte simptoma të sëmundjes dhe tani do të vetizolohet për shtatë ditë, tha një deklaratë Pallati Elysee.
Presidenti Macron "është ende i ngarkuar" për drejtimin e vendit dhe do të punojë në distancë, tha një zyrtar, transmeton BBC.
Zonja e parë franceze, Brigitte Macron, është vetizoluar, por thuhet se nuk ka simptoma.
Zyra e kryeministrit francez, Jean Castex, më vonë tha se ai nuk ka simptoma, por do të vetizolohej pasi kishte pasur kontakt me Macronin.
Castex ndërpreu një vizitë të planifikuar më vonë gjatë ditës në Senatin Francez për të paraqitur një strategji kombëtare të vaksinimit kundër COVID-19.
Franca këtë javë vendosi një orë policore gjatë natës për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ky vend ka shënuar dy milionë raste të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë, me më shumë se 59.400 vdekje, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.