Biden dhe Pence do të vaksinohen kundër COVID-19
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence, së shpejti do të marrin vaksinën kundër COVID-19. Pence do të vaksinohet në një ceremoni publike të premten, më 18 dhjetor, njoftoi Shtëpia e Bardhë të mërkurën, ndërsa presidenti i zgjedhur Biden mund të vaksinohet në javën e ardhshme, raporton Reuters.
Më herët, ishte njoftuar se zyrtarëve më të lartë të qeverisë amerikane, duke përfshirë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që punojnë pranë presidentit, Donald Trump, do t'u sigurohet vaksina kundër COVID-19 këtë javë.
Shpërndarja e vaksinave në Shtetet e Bashkuara është e kufizuar vetëm për punonjësit shëndetësorë, dhe kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.
Shtetet e Bashkuara filluan vaksinimin më 14 dhjetor kundër COVID-19 me vaksinën e kompanisë Pfizer/Biontek.
Shpërndarja e vaksinës filloi tre ditë pasi u miratua përdorimi i saj urgjent në Shtetet e Bashkuara.
Vaksinimi hap një front të ri në luftën kundër pandemisë, e cila ka marrë më shumë se 2.400 jetë amerikane në ditë.