Militantët e IS-it po lëvizin lirshëm në territorin sirian
Qeveria siriane duket se është duke lejuar lëvizjen e lirë të militantëve të Shtetit Islamik, në territorin që qeveria ka nën kontroll, ka thënë koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri.
Këto akuza kanë ardhur pasi koalicioni dhe qeveria siriane kanë pretenduar se kanë larguar nga territor militantët e IS-it, të cilët më herët kanë kontrolluar pjesën veriore dhe lindore të Sirisë.
“Ata duket se po lëvizin të pandëshkuar në territorin e kontrolluar nga pushteti, duke treguar se regjimi është haptas ose i pavullnet ose i paaftë për t’iu kundërvënë IS-it brenda kufinjëve”, ka thënë gjenerali i ushtrisë britanike, njëherësh zëvendës komandant i koalicionit, Felix Gedney.
Pavarësisht ankesave, Gedney ka thënë se koalicioni nuk do të tentojë të sulmojë militantët me sulme ajrore, derisa ata janë në territorin e qeverisë siriane, mirëpo do të vazhdojë të kërkojë nga Siria dhe aleati i saj, Rusia t’i ndjekë ata në këto zona.
Sipas këtij koalicioni, aktualisht në Irak dhe Siri gjenden më pak se 1,000 luftëtarë të grupit militant, Shteti Islamik.
“Ne i bëjmë thirrje regjimit sirian të largojë militantët e IS-it nga këto zona që janë nën kontrollin e tyre”, ka thënë ai.