Zllatan Ibrahimoviq infektohet me koronavirus
![Zllatan Ibrahimoviq infektohet me koronavirus](https://gdb.rferl.org/3b947ad6-595f-42e3-bbef-739d2d940673_cx0_cy6_cw0_w800_h450.jpg)
Klubi italian i futbollit, AC Milan, ka thënë se 38-vjeçari, Zllatan Ibrahimoviq ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Ekipi i ligës Serie A ka thënë se Ibrahimoviq, i cili do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër klubit norvegjez Bodo/Glimt më 24 shtator, është vendosur në karantinë në shtëpinë e tij dhe autoritetet shëndetësore janë informuar.
Ky njoftim ka ardhur një ditë pasi lojtari tjetër i këtij ekipi, Leo Duarte është infektuar po ashtu me këtë virus.
Milan ka thënë se gjithë pjesa tjetër e ekipit është testuar për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, mirëpo testimet tjera kanë rezultuar negative.
Ibrahimoviq, ish-lojtar i ekipeve si Barcelona, Juventus, Ajax dhe Inter Milan, do të festojë ditëlindjen e tij të 39-të në muajin tetor.
Deri më tani ai është lojtari më i famshëm i ligës italiane që është infektuar me këtë virus, prej kur janë rikthyer ndeshjet e futbollit në muajin qershor, pas tre muajve të izolimit.