Në Malishevë, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan do të aplikohet "orar i lëvizjes"
![Në Malishevë, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan do të aplikohet](https://gdb.rferl.org/C98DD0C9-49DC-46A6-9FF0-B716ABE5ED13_w800_h450.jpg)
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një komunikate për media, ka deklaruar që në bazë të situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, është vendosur që në Malishevë, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të aplikohet “ orari i lëvizjes për nevojat bazike për qytetarët” e këtyre komunave.
Në Malishevë do të ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 14:00 e deri në orën 6:00 të mëngjesit. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veiut dhe në Zveçan, ndalohet qarkullimi nga ora 12:00 e mesditës deri në orën 6:00 të mëngjesit.
Vendimi, siç ka thënë Vitia është marrë në koordinim me komunat përkatëse, për shkak të numrit të rritur të personave të sëmurë me koronavirus. Ky vendmi hyn në fuqi me 10 prill.
Vitia po ashtu ka theksuar që në ditët në vijim do të merren vendime edhe për komunat tjera të Kosovës.
Të njëjtin vendim, të enjten e kanë marrë edhe Shtabet e krizave për luftë kundër koronavirusit në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.
Deri të enjten, në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për 224 persona të prekur me koronavirus, duke përshirë 37 persona të shëruar dhe gjashtë të vdekur.
Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.