Pacolli kthehet në Kosovë
![Pacolli kthehet në Kosovë](https://gdb.rferl.org/10F933E5-FFAD-4A70-A60A-B3B6DE3C2344_w800_h450.jpg)
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka arritur të enjten në Prishtinë. Nga Aeroporti "Adem Jashari", Pacolli ka shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Hajvali të Prishtinës.
Në një prononcim për media nga aeroporti, ai ka thënë se do të respektojë vendimet e institucioneve të Kosovës dhe se nuk ka kërkuar asnjëherë që ndaj tij të bëhen përjashtime.
Në pyetjen se a do të dërgohet në karantinë në Qendrën e Studentëve, Pacolli u përgjigj se "ende nuk e di".
“Absolutisht nuk e di, i kam përfunduar procedurat. Çka do të ndodhë nga këtu e tutje nuk e di, por nuk i rezistoj dhe i respektoj normat që janë ndërmarrë për çdo qytetar. Nuk do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi”, u shpreh Pacolli.
Udhëtimi nga Zvicra për në Kosovë i Pacollit ka nxitur përplasje në skenën politike në Kosovë.
Masat e ndërmarra nga qeveria në detyrë e Kosovës, obligojnë të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës, nga vendet tjera, të qëndrojnë për dy javë në karantinë në Qendrën e Studentëve.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, më 29 prill ka deklaruar se nëse Pacolli do të zbulohet se qëndron në Kosovë atëherë organet e sigurisë do të marrin masa ndaj tij për të zbatuar vendimet e qeverisë lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Por, Pacolli njoftoi gjatë ditës se gjendej në Shqipëri duke punuar në projektin për rindërtim të Thumanës, që ishte dëmtuar rëndë si pasojë e tërmetit që pati goditur Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar.