Thaçi mirëpret iniciativën e SHBA-së për rifillimin e dialogut
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur iniciativën e Shteteve të Bashkuara për rinisjen e dialogut me Serbinë.
Pas njoftimit nga i emëruari i Shtëpisë së Bardhë Richard Grenell, se Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Uashington, Thaçi tha se SHBA-ja ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen e Kosovës.
“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. SHBA-ja emëroi Richard Grenell si të dërguar të saj në këtë proces në tetorin e vitit 2019.
Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.