Grenell: Thaçi anulon vizitën në Uashington
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Anulimin e vizitës së Thaçit e ka konfirmuar edhe Zyra e Presidentit të Kosovës, përmes një komunikate për media.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit ka bërë të ditur se:
“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Grenell ka bërë të ditur ditë më parë se më 27 qershor do të organizohet një takim në Shtëpinë e Bardhë mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.
Kujtojmë se dialogu mes këtyre dy shteteve është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.