Rama në Kosovë, për të biseduar rreth aktakuzës
![Rama në Kosovë, për të biseduar rreth aktakuzës](https://gdb.rferl.org/91E577FD-B239-4536-8109-45834E5F5BED_cx0_cy6_cw0_w800_h450.jpg)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se të hënën qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve.
“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, tha Rama përmes një postimi në Twitter.
Ai po shoqërohet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe gjatë ditës do të ketë takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike.
Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Çështja kalon tani te gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vërtetojë ose hedhë poshtë aktakuzën.
Thaçi, i cili ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbante një takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, do t'i drejtohet sonte opinionit në lidhje me aktakuzën.
Të premten, në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Thaçi ka thënë se akush "nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës", ndërsa Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta.