Rreth 5% e popullatës spanjolle kanë imunitet ndaj koronavirusit
![Rreth 5% e popullatës spanjolle kanë imunitet ndaj koronavirusit](https://gdb.rferl.org/671F0FE7-6966-4645-B354-AD923E7E5089_w800_h450.jpg)
Në bazë të rezultateve paraprake të një hulumtimi në Spanjë, vetëm rreth 5 për qind e popullatës kanë fituar imunitet ndaj koronavirusit të ri.
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha se rezultatet dallonin mes rajoneve.
Studimi, i kryer nga Instituti i Shëndetit Carlos III dhe Instituti Kombëtar i Statistikave, filloi më 27 prill dhe kishte si synim testimin e 90,000 njerëzve për praninë e antitrupave që luftojnë virusin.
Testimi mund të ndihmojë qeverinë që të vlerësojë masën e vërtetë të epidemisë, duke marrë parasysh edhe ata që mund të jenë imun ose rezistent ndaj infeksionit.
Spanja është ndër vendet më të goditura në botë nga pandemia e koronavirusit të ri.
Në bazë të të dhënave nga Universiteti John Hopkins në SHBA, Spanja deri më tani ka regjistruar 228,030 persona të infektuar me koronavirusin e ri.
Numri i viktimave ka arritur në 26,920.