Tri raste të reja me koronavirus në Kosovë
![Tri raste të reja me koronavirus në Kosovë](https://gdb.rferl.org/5D73E8F0-A63E-409F-BC88-62A55A085800_w800_h450.jpg)
Në Kosovë u konfirmuan të hënën tri raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë bëri të ditur se të trija rastet janë raste kontakti dhe se ato vijnë nga Komuna e Prishtinës.
Me këtë shifër, numri total i të infektuarve në Kosovë arrin në 988.
IKSHPK-ja po ashtu njoftoi se të hënën janë shëruar 18 pacientë, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 754.
Që nga regjistrimi i rasteve të para me COVID-19 më 13 mars, në Kosovë kanë humbur jetën 29 pacientë, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.