Polici akuzohet për vrasje pas vdekjes së afrikano-amerikanit në Mineapolis
![Polici akuzohet për vrasje pas vdekjes së afrikano-amerikanit në Mineapolis](https://gdb.rferl.org/4B8F0B99-5EDE-416D-B39F-39BA243571CE_cx0_cy9_cw0_w800_h450.jpg)
Një oficer policie, i pushuar nga puna pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara, u arrestua dhe u akuzua për vrasje.
Derek Chauvin është një nga katër oficerët e policisë që u pushuan nga puna pas vdekjes së Floydit të hënën në paraburgim.
Ngjarja shkaktoi protesta, plaçkitje dhe zjarrvënie, pasi Chauvin dhe oficerët e tjerë u shfaqen në një video duke e shtypur me gjunj Floydin.
Floyd vdiq më vonë në spital.
Prokurori i Qarkut Henepin, Mike Freeman, tha se Chauvin akuzohet për vrasje të shkallës së tretë dhe theksoi se hetimi i oficerëve të tjerë është duke vazhduar.
Ai tha se "parasheh akuza" për tre oficerët e tjerë, por nuk dha më shumë detaje.
Shumë shpejt pasi akuzat u bënë publike, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, tha se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja janë duke kryer “një hetim të pavarur për të përcaktuar nëse është shkelur ndonjë ligj federal i të drejtave civile”.
Barr tha se videoja e arrestimit të Floydit "është e frikshme për t’u parë dhe thellësisht shqetësuese".
Lexoni edhe këtë:
Çfarë po ndodh në Mineapolis të SHBA-së?